CHwB kontribuon në Shkollën për Planifikim e Zhvillim Urban

Gjatë datave 23-25 tetor 2015 në Shkodër (Shqipëri) është mbajtur moduli i dytë i Shkollës për Planifikim dhe Zhvillim Urban mbi temën “Trashëgimia kulturore dhe Planifikimi urban”. Gjatë këtij moduli janë mbajtur sesione nga Eliza Hoxha dhe Luan Nushi lidhur me përfshirjen e trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor në Kosovë. Sali Shoshi (drejtor) dhe Enes Toska (menaxher programi) nga zyra e CHwB-së ndanë përvojat e tyre të trajtimit të trashëgimisë kulturore gjatë punës 14 vjeçare në Kosovë. Fokusi i veçantë i është dhënë Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në 7 komuna të Kosovës.

26_10_2015_6830958_IMG_9828

Shkolla për Planifikim dhe Zhvillim Urban bashkorganizohet nga EC Ma Ndryshe dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur. Qëllimi kryesor i ligjëratave në tri module në kuadër të kësaj Shkolle është ngritja e nivelit të njohurisë tek pjesëmarrësit në çështjet dhe praktikat evropiane lidhur me planifikimin dhe zhvillimin urban, në mënyrë që më pastaj ata ti përdorin njohuritë e fituara në ambientin e tyre të punës dhe ti transmetojnë tutje. Për më tepër gjeni të bashkangjitur materialin informues të kësaj shkolle.

IMG_9874

Përmes Programit katër vjeçar të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore, zyra e CHwB-së në Kosovë ka përvetësuar një qasje të re për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Këto plane kanë identifikuar pasuritë e trashëgimisë kulturore dhe natyrore që do të përdoren për zhvillimin ekonomik dhe social të komunave partnere të Dragashit, Gjakovës, Gjilanit, Kaçanikut, Parteshit, Rahovecit dhe Vushtrrisë. Procesi i zhvillimit të këtyre planeve ka përfshirë një gamë të gjerë të aktorëve vendorë të angazhuar në takime të ndryshme, punëtori, vizita studimore dhe konsultime publike. Përveç hartimit të planeve, ky program ka krijuar një standard të ri ku shumë prioritete të identifikuara në këto plane janë zbatuar në terren.

Lajmet e fundit