CHwB përmbyll vitin me anëtarësim në dy rrjete ndërkombëtare

en-see-home-feature

Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova) po e përmbyll vitin 2016 me anëtarësim në dy rrjete të nivelit ndërkombëtar, atë në Europa Nostra në nivel evropian dhe SEE Heritage në nivel rajonal. Organizata jonë gjatë këtij viti është anëtarësuar edhe në katër rrjete lokale të OJQ-ve në vend.

Europa Nostra përfaqëson një lëvizje qytetare në rritje “për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Evropës. Ky rrjet pan-evropian është i përbërë nga 250 organizata anëtare (shoqata dhe fondacione të trashëgimisë me një anëtarësim të kombinuar prej më shumë se 5 milion njerëz), 150 organizata të bashkuara (organe qeveritare, autoritete lokale dhe korporata) dhe gjithashtu 1500 anëtarë individualë. Misioni i rrjetit mbështetet drejtpërsëdrejti përmes: 1. Formimit të një lobi të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore në Evropë; 2. Festimit të përsosmërisë përmes European Heritage Awards (Shpërblimeve të Trashëgimisë Evropiane) organizuar nga Europa Nostra në partneritet me Bashkimin Evropian; dhe 3. Fushatave për ruajtje të monumenteve historike, lokaliteteve dhe peizazheve kulturore të rrezikuara të Evropës.

South East European (SEE) Heritage Network – Rrjeti i Trashëgimisë së Evropës Juglindore është një rrjet i organizatave joqeveritare nga Evropa Juglindore. Rrjeti SEE Heritage mbledh të gjithë ata që të gatshëm për të kontribuar në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë dhe ka një vizion të një rajoni ku njerëzit bashkëpunojnë, kuptojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin në bazë të dallimeve të tyre kulturore, duke besuar se diversiteti kulturor, etnik dhe fetar është një burim i vlefshëm. Nisma e themelimit të një rrjeti të OJQ-ve që punojnë në trashëgiminë kulturore ka filluar në vitin 2006 nga Fondacioni Suedez CHwB (Trashëgimia Kulturore pa Kufij). Dymbëdhjetë OJQ nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, së bashku me përfaqësues të CHwB-së, nënshkruan një deklaratë të zotimit për të zhvilluar dhe forcuar Rrjetin Rajonal të OJQ-ve. Sot rrjeti është zgjeruar në më shumë vende të rajonit dhe numëron më se 25 përfaqësues të OJQ-ve.

Lajmet e fundit