Jubileu i 50-të rikthen festën e poezisë në Gjakovë

50miting home

Prej datës 2 deri 9 maj 2014, qyteti i Gjakovës ishte epiqendra e poetëve dhe e adhuruesve të shumtë të poezisë. Gjatë këtyre ditëve, Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” nga Gjakova mbajti jubileun e 50-të të Mitingut të Poezisë.

Qëllimi krysor i mitingut është ruajtja e traditës shpirtërore dhe krijimi i një platforme ku do të bëhej nxitja e krijimtarisë letrare dhe ofrimi i hapësirës për krijues të rinj. Mitingu synon poashtu shpërblimin e veprave që lënë gjurmë në letërsinë shqipe duke përshirë edhe debate e tryeza me tema të llojllojshme të letërsisë shqiptare dhe botërore.

Halil Haxhosaj & Shefqet Dinaj_30 Migena Arllati_004

Këtë aktivitet, i cili nga një orë e zakonshme letrare e 9 majit 1964, u shndërrua në ngjarjen më të madhe letrare jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare. Poeti Haxhosaj e kujton kur gjatë ditëve të mitingut, Gjakova futej në festë popullore. “Bëhej festë e madhe. Mitingu i poezisë shndërrohej në miting popullor, sepse në stadiumin e hapur të sporteve të vogla “Shani Nushi”, mblidheshin nga tremijë qytetarë për të dëgjuar poezitë e poetëve më të mirë të vendit”, kujton ai.

Mitingu i 50-të i poezisë, këtë vit solli poetë nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe mysafir nga Katalonia e Spanjës, që tashmë është bërë traditë të vijnë çdo vit nga dy a tre poetë me emër në poezinë botërore. “Ka disa vjet që kam dëgjuar për Mitingun e Gjakovës dhe po më vjen mirë që më në fund kam ardhur këtu. Gjithashtu më vjen mirë dhe jam shumë e lumtur që kam nderin të jem në vendin e prejardhjes së Nënë Terezës, një personalitet i adhuruar nga ana ime”, ka thënë poetesha katalonase, Sonia Pasola.

Edicioni i 50-të i Mitingut Ndërkombëtar të Poezisë në Gjakovë, që u mbyll më 9 maj në mbrëmje me orën e madhe letrare, u mbajt në praninë e më shumë se 800 pjesmarrësve ku lexuan edhe 30 poetë. Mitingu ka zhvilluar aktivitetin e vet paraprak një javë më parë, duke organizuar edhe promovimin e 7 veprave të reja, kryesisht të poetëve nga Gjakova por edhe atyre nga Malësia e Gjakovës. “Ju siguroj se do të jap kontributin maksimal për këtë organizim të mirëfilltë letrar, sepse jam e tëra me ju”, ka premtuar kryetarja e komunës së Gjakovës znj.Mimoza Kusari – Lila, në fjalën e saj përshëndetëse. Krahas orës së madhe letrare, aktivitet që veçohet të përmendet është edhe Tribuna tradicionale letrare, e cila për trajtim kishte temën “Kritika aktuale në letërsinë shqipe”. Për këtë temë referuan Agim Vinca dhe publicisti nga Shqipëria, Ilir Yzeiri.

Mitingu - Nata Finale_041 Mitingu - Nata Finale_208 Mitingu - Nata Finale_296

Mitingu shpërbleu botimin e veprës më të mirë të botuar në mes dy mitingjeve, e që këtë vit u takoi dy poetëve, Halil Haxhosaj për librin “Ekspozitë në stinën e re” dhe Sejdi Berisha për librin “Gjethet e hirta të zemërimit”. Ndërsa poezia më e mirë e lexuar gjatë mbrëmjes i takoi poetit Iljaz Bobaj nga Gjirokastra e Shqipërisë.

Ky projekt është pjesë e iniciativës “Ditët e Kulturës në Gjakovë” që do të mbahet gjatë vitit 2014 dhe bashkëfinancohet nga CHwB Kosova, Komuna e Gjakovës dhe partnerë tjerë. Ky projekt është identifikuar në kuadër të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjakovës e cila është hartuar në  kuadër të programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 në 7 komuna të Kosovës. Për më shumë informata rreth këtij programi klikoni këtu.

Lajmet e fundit