Programi i Intervenimit Emergjent Kulturor për kinemanë Lumbardhi në Prizren dhe xhaminë e fshatit Zatriq në Rahovec

Fondi Prince Claus, në kuadër të Programit të Intervenimit Emergjent Kulturor, do të bashkë financojë, në partneritet me zyrën e CHwB-së në Kosovë, ndërhyrjet emergjente në dy lokalitete publike të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë që janë në gjendje të përkeqësuar. Ky projekt është vazhdimësi e ndërhyrjeve në tri lokalitete tjera, të financuara nga Fondi Prince Claus vitin e kaluar.

Kinemaja Lumbardhi ndodhet në Qendrën Historike të Prizrenit. Kinemaja është ndërtuar në vitet ’50 të shekullit XX. Kjo ndërtesë së pari ka vendosur teknologjinë e transmetimit të filmave përmes kasetës filmike 35mm, ndërsa ndërtesa në fjalë, gjate shtatë dekadave të fundit, është përdorur për shumë ngjarje kulturore. Kino Lumbardhi është dëshmi e traditës (artistike) të filmit të qytetit dhe ka ndikuar në krijimin e identitetit shoqëror dhe kulturor të komunitetit. Ndërtesa ka një dizajn të thjeshtë arkitektonik, karakteristikë për periudhën modernizmit të mesit të shekullit të XX. Kinemaja është përdorur në funksionin e saj origjinal deri  në fillim të viteve të 90-ta. Që nga viti 2001, ndërtesa është përdorur pjesërisht për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe artistike. Për shtatë dekada, kinemaja ka akomoduar shumë aktivitete kulturore dhe artistike, duke e bërë atë një nga vendet më të rëndësishme të skenës kulturore të Prizrenit. Kino Lumbardhi është në proces të regjistrimit në Listën e Trashëgimisë Kulturore në mbrojtje të përkohshme. Shumë shpejt, ndërtesa do të regjistrohet si monument.

kino lumbardhi 1 (7)kino lumbardhi 1 (8)   kino lumbardhi 1 (5)kino lumbardhi 1 (1)   kino lumbardhi 1 (2)

Xhamia e fshatit Zatriq konsiderohet si një nga xhamitë më të vjetra në rrethinën e Rahovecit dhe është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore në mbrojtje të përkohshme. Besohet se xhamia është ndërtuar në vitin 1810. Gjysma e ndërtesës është përdorur për lutje, ndërsa gjysma tjetër ka shërbyer si shkollë fillore / mejtep. Në oborrin e xhamisë janë varret e personaliteteve të rëndësishme fetare të fshatit Zatriq. Sipas fshatarëve, ndërtesa ishte vizituar një herë nga besimtarë nga rajone të tjera (Pejë, Gjakovë), sepse në atë kohë nuk kishte xhami tjera në rajon. Institucioni ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e njohurive të vendasve, si dhe në jetën e tyre shoqërore. Komuniteti lokal e shohin këtë xhami si një pikë referimi për të identifikuar origjinën dhe lashtësinë e tyre. Xhamia nuk përdoret plotësisht, një pjesë e ndërtesës përdoret si xhami, ndërsa gati gjysma tjetër është në gjendje shumë të keqe dhe nuk përdoret për ndonjë qëllim.

xhamia zatriq (1)xhamia zatriq (2)   xhamia zatriq (9) xhamia zatriq (10)   xhamia zatriq (13)xhamia zatriq (8)

Pavarësisht rëndësisë së tyre kombëtare, këto monumente të trashëgimisë arkitektonike janë duke u përkeqësuar për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, përdorimit, kushteve klimatike dhe trajtimeve të gabuara.

Objektivat e projektit janë:

  • Rigjenerimi i vlerave historike, shoqërore dhe arkitektonike të zonës;
  • Ngritja e krenarisë së vendasve për trashëgimisë e tyre kulturore;
  • Përmirësimi i gjendjes sociale-ekonomike të zonës;
  • Ruajtja e ndërtesave nga shkatërrimi;
  • Sigurimi i qasjes, shijimit dhe edukimit për të gjithë njerëzit pa dallim;
  • Vlerësimi i trashëgimisë dhe ndërtimi i kapaciteteve.

Elaborimi i projekteve ka filluar në mes të korrikut 2015, ndërsa zbatimi i punimeve është planifikuar të përfundojnë në dhjetor 2015.