Ruajtja dhe mbrojtja e Kalasë së Vushtrrisë

1049184_593841420647694_419376736_o

Lokaliteti arkeologjik ‘Kalaja e Vushtrrisë’, gjendet në qendër të qytetit dhe përbëhet prej strukturave ndërtimore me shtresime nga periudha të ndryshme historike. Ndonëse është rindërtuar disa herë, Kalaja ka arritur të mbijetoj deri sot. Disa historianë sugjerojnë se kalaja mund të jetë ndërtuar gjatë shekullit të 7-të gjatë epokës bizantine. Sugjerohet gjithashtu se kalaja rrjedh nga periudha Iliro-Dardane.

Për shkak të pozitës strategjike, në kohën kur është ndërtuar si dhe në kohën e osmanëve kalaja është përdorur për nevoja të ushtrisë. Gjatë pushtimin osman thuhet që kalaja është përdorur si burg dhe gjykatë turke. Pas kësaj ka shërbyer si depo armësh, përderisa kulla ka shërbyer si hambar dhe depo misri. Në shekullin e 20-të, Kalaja është shfrytëzuar si burg, torishte për hambar, fushë vojelbolli, etj. Në vitet 1955-1958 kalaja shfrytëzohej si kinema dhe restorant dhe në oborrin e brendshëm të saj ka qenë e vendosur një pllakë rrethore për kërcim-ballo. Ana jugore e kalasë, ku ishte edhe kabina për kino-projektor, ka qenë e mbuluar me çati, ndërsa në murin e jashtëm të kullës shihen edhe sot pjesët metalike ku janë vendosur perdet për shfaqjen e filmave verorë. Kalaja u përdor nga qytetarët deri në vitin 1962.

Si lokalitet arkeologjik, kalaja ka shumë vlera që tregojnë për rolin e saj në kontekstin përreth dhe funksionin e saj në mjedisin urban. Kalaja ka vlerë të madhe historike, si një simbol për qytetin dhe historinë e tij të gjatë. Edhe pse kalasë i dedikohen përdorime të ndryshme, struktura e saj kryesore mbetet e njëjtë. Vlera e kalasë së Vushtrrisë nuk qëndron vetëm në karakteristika individuale. Së bashku me hamamin, urën e gurit dhe xhamitë, Kalaja kontribuon në krijimin e identitetit të së kaluarës së Vushtrrisë. Kalaja është ndërtuar në periudha të ndryshme kohore, si e tillë ajo ka shtresa të ndryshme të materialeve ndërtimore, konstruksionit dhe teknikave të ndërtimit. Këto ndërhyrje së bashku me proporcionet e hapësirave bëjnë që lokaliteti të ketë vlera arkitekturore.

Elementet strukturore të kalasë kanë qenë të amortizuara, të pa studiuara, të pa vlerësuara dhe afër dekompozimit të tërësishëm. Përveç vjetërsisë, lokaliteti është dëmtuar si pasojë e kushteve atmosferike, problemeve konstruktive, trajtimeve të gabuara, ekspozimit ndaj zjarrit, vandalizmit, kolonizimi biologjik dhe ndotjes. Megjithatë, arsyeja kryesore e degradimit të saj është neglizhenca dhe jo mirëmbajtja.

Konservimi dhe adaptimi i kalasë së Vushtrrisë është planifikuar duke konsideruar statutin e saj të mbrojtjes, autenticitetin dhe integritetin. Meqenëse kalaja është lokalitet arkeologjik i mbrojtur, secili intervenim që është bërë në strukturën e saj është reversibil. Të gjitha materialet e përdorura janë lokale dhe të njëjta me origjinalet ndërsa puna është bërë me teknika tradicionale të ndërtimit nga mjeshtërit vendor.

Përveç konservimit të strukturës, Kalaja e Vushtrrisë do të adaptohet në një hapësirë shumë funksionale me qëllim edukimi dhe interpretimi (muze arkeologjik) dhe ngjarje artistike dhe kulturore (Takimi i Poeteshave). Adaptimi i kalasë në funksion të ri do t’u mundësojë të gjithë njerëzve pa dallim moshe, gjinie, religjioni apo aftësie, qasje të lirshme dhe shfrytëzim të hapësirave të lokalitetit. Punimet e adaptimit kanë filluar në Tetor 2013 dhe planifikohen të përfundojnë në Maj 2014.

04-1024x681 05-1024x681  06-1024x681 07-1024x681  08-1024x682