Historia e banesës Gurgai, aktualisht në fokus të punës së CHwB-së, është historia e shumë banesave karakteristike të Gjirokastrës. Pozicionuar pranë pazarit të zonës historike, pronat e familjes përfshinin dikur dy banesa monumentale dhe një mulli. Shumë ndryshime ndodhën gjatë viteve, si ai në 1951, kur prona u shtetëzua. Pjesë të saj iu dhanë me qera disa familieve, ndërkohë që një pjesë tjetër e pronës u perdor si çerdhe për disa vite. Kur prona iu kthye ligjërisht familjes Gurgai, disa familje banonin akoma aty dhe gjendja e banesave ishte mjaft e keqe, deri sa, para pesë vitesh, u braktisën plotësisht.
Banesat duhet të jenë të banuara për të qënë në kushte të mira. E braktisur, çatia e banesës Gurgai filloi të shfaqte probleme. Ujrat e shiut demtuan plotesisht pjesë të çatisë dhe depërtuan kështu në muret e gurta e në dyshemetë e drunjta, duke krijuar probleme serioze të strukturës. Fatkeqësisht, gjendja e baneses Gurgai ngjason me atë të shumë banesave në qytetin e Gjirokastrës, ku një problem i vogël në çati mund të shkaktojë shumë shpejt rrënimin e banesës. Ky monument u zgjodh për të qënë subjekt i ndërhyrjeve pasi, po të veprohet shpejt në të, është e mundur që të ndalohet shkatërrimi dhe të garantohet e ardhmja e tij. Rasti i ndërhyrjeve në banesën Gurgai mund të shërbejë si shembull për të treguar se ndërhyrje relativisht të vogla, të bëra në kohën e duhur, mund të shpëtojnë monumente që përballen me të njëjtat probleme.
Ndërhyrjet në monumentin Gurgai janë pjesë e projektit “Gjirokastra: aty ku fillon ndryshimi”, të implementuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB). Ky është projekti i parë që punon me monumentet e rrënuara në qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës. Synimi përfundimtar është që të konsolidohen disa monumente që janë në rrezik shembjeje të pjesshme apo të plotë, duke i përdorur këto ndërhyrje për të rritur ndërgjegjësimin për numrin e madh të monumenteve që paraqesin nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, dhe për të paraqitur zgjidhje të mundshme për këto raste.
Kjo iniciativë financohet nga Prince Claus Fund, nëpërmjet programit të tyre Cultural Emergency Response-Përgjigje Emergjente për Kulturën, dhe Swedish Development Cooperation.
Punimet në banesën Gurgai kanë filluar me largimin e pjesëve të çatisë që ishin shembur dhe me pastrimin e ambienteve të brendshme. Ndërhyrje në konstruksionin e çatisë dhe përforcime të mureve dhe dyshemeve të demtuara janë pjesë e punimeve të parashikuara në këtë monument.