Modele të Qëndrueshme të Ruajtjes dhe Rijetëzimit të Trashëgimisë Kulturore për Vunoin dhe Qeparoin: përmbledhje e propozimeve të CHwB

QeparoCHwB-Shqipëria ka përfunduar analizën dhe ka propozuar përshatjen në kontekstin lokal të propozimit të Universitetit Teknik të Berlinit/Programi i Menaxhimit Urban (TUB/UM) mbi “Modelet e qëndrueshme të ruajtjes së trashëgimisë dhe rijetëzimit të Qendrave Historike të Vunoit dhe Qeparoit”. Në vijim mund të gjeni një përmbledhje të propozimeve.

 

Duke u mbështetur te nevoja e panegociueshme e të diskutuarit dhe optimizuarit të ideve të reja përmes mbështetjes dhe bindjes së bashkësive vendase dhe palëve kyçe të interesit, jemi të lumtur të propozojmë disa përshtatje që synojnë të rrisin pëputhshmërinë e këtyre modeleve interestante me kontekstin vendas.

 

Në Qeparo, në vijim të bisedave të gjata me pronarët vendas, takimeve me përfaqësues të pushtetit vendor e qëndror; mbledhjes së reagimeve nga aktorë të fushës së turizmit dhe trashëgimisë kulturore; duke u bazuar dhe te një analizë strikte e kontekstit ekonomik e ligjor, rekomandojmë që hoteli i shpërndarë të mbështetet, të paktën në fazën e tij fillestare, në një skemë granti (dhe asistence teknike përkatëse) që do të ballanconte më mirë risqet financiare dhe të sipërmarrjes, të cilët, sipas propozimit fillestar, mbarten vetëm nga pronarët vendas. Një larmi mundësish financimi janë identifikuar, por një hulumtim i mëtejshëm është i nevojshëm nëse do ketë një fazë të ardhshme të këtij projekti.

 

Modeli i përshtatur i hotelit të shpërndarë tejkalon pamundësinë e banorëve vendas për të bashkuar forcat në struktura të tipit “Kooperativë” apo “Trust i Pronës” duke e mbështetur mënyrën e veprimit të hotelit të shpërndarë te forma më klasike e “Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuara”. Propozimi ka ngjallur interesin e disa pronarëve vendas që kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar dialogun mbi hotelin e shpërndarë. Ata kanë shqyrtuar me kujdes modelet 3D të paraqitjes së ndërhyrjeve të mundshme në pronat e tyre, kostot dhe kohëzgjatjen e punimeve, si dhe treguesit premtues të rikthimit të investimit fillestar. Duket se ka një konsensus mes pronarëve dhe palëve kyçe të interesit në lidhje me qëllimin fundor të modelit të përshtatur, baraspeshimi i mundësive që sjell turizmin me ruajtjen e autenticitetit të fshatit. Kjo baraspeshë duhet të mbështetet te Përvoja e Vizitorit në Qeparoin e Vjetër, përvojë që vetëm ky vend mund ta mundësojë dhe që duhet dizenjuar qartësisht përpara se të ngrihet hoteli i shpërndarë. Mundësimi i kësaj përvoje kërkon mbështetje jo vetëm nga pronarët vendas, por dhe angazhim të fortë të Bashkisë Himarë në bashkëpunim me Organizata të Marketimt të Destinacionit, operatorët turistikë dhe banorët vëndas.

 

Laboratori i konservimi i propozuar në Vuno është menduar fillimisht si një entitet jo-fitimprurës që do të ofrojë trajnime në konservim/restaurim për vendas dhe studentë, me qëllim mundësimin e një përvoje të turistit sa më lokale dhe autentike. Po sipas propozimit fillestar, laboratori i konservimit është parashikuar të ngrihet me fitimet e gjeneruara nga hoteli i shpërndarë i Qeparoit dhe konsiderohet si një institucion kryesor për zbatimin e projekteve restauruese, përmes së cilëve ai mundëson edhe të mësuarit si dhe të dhënit mësim në praktikë. Por disa çështje të rëndësishme mbeten të pazgjidhura në këtë propozim të parë, duke filluar nga mungesa e aftësive vendase, për të vazhduar me nevojën për të ngritur një institucion që të ofrojë mundësi për trajnim të qëndrueshëm dhe afat-gjatë për mjeshtrat dhe studentët, apo me pasigurinë e investimeve që mund të vijnë nga aktiviteti i banorëve në Qeparo. Modeli i përshtatur i laboratorit të konservimit propozonte fillimisht 2 skema partneriteti. Pas konsultimeve me një prej palëve kyçe, Instituti i Monumenteve të Kulturës  (IMK), propozimi ynë fokusohet te skenari më realist i zhvillimit të aftësive lokale për trainime të çertifikuara të mjeshtrave dhe ndihmës-mjeshtrave vendas, si dhe te konsolidimi i Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim të Evropës Jug-Lindore (pjesë e IMK-së) si një qendër që ofron trajnime në të ardhmen, e cila mund të ofrojë pikërisht në Vuno një prej moduleve trajnues të saj. Gjithashtu, krijimi dhe fuqizimi i lidhjeve me akademinë është një veprimtari thelbësore për të cilën sugjerohen hapa konkrete.

 

Ky projekt u financua nga GIZ në kuadër të Programit të Zhvillimit të Integruar të Qëndrueshëm të Rajonit Bregdetar Jugor.

Lajmet e fundit