Kampet Rajonale të Restaurimit për Herë të Parë në Krujë dhe Shkodër

28RRCKruja11Kampet Rajonale të Restaurimit të Fondacionit “Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri” mbërritën për herë të parë në Krujë dhe Shkodër. 23 profesionistë të rinj dhe 9 akademikë e trajnerë nga Ballkani dhe Europa u mblodhën në Krujë për të studiuar dhe për t’u ushtruar në Kampin e 28-të Rajonal të Restaurimit me temë “Artet dhe zejet tradicionale”.

28RRCKruja6Në Krujë pjesëmarrësit mësuan për teknikat tradicionale të artizanatit. Shumë prej pazareve të vjetër po përballen me nevoja për kushte më të mira për artizanët vendas dhe sfida për të ofruar një gamë më të gjerë produktesh tipike për të joshur vizitorët. Së toku me artizanët e Pazarit të Krujës, pjesëmarrësit mësuan më shumë për këto sfida dhe diskututuan zgjidhjet e mundshme. Punët praktike përgjatë kampit përfshinë teknika të ndryshme tradicionale nga shajaku te qëndisja, përpunimi i metaleve, etj. Punët u udhëhoqën nga vetë artizanët krutanë.

28RRCKruja10Një ndër risitë e Kampit të Krujës ishte edhe sjellja e historive rajonale dhe europiane të suksesit në sipërmarrjet artizanale. Ana Sousa Dias, themeluese e konceptit dhe rrjetit të dyqaneve Alma Lusa (Shpirti Portugez) u shpreh e mrekulluar nga pazari dhe artizanët e Krujës. “Keni një pazar shume të bukur dhe artizanë që ushtrojnë punën e tyre me punime të hijshme. Kultura juaj ka vlera të mëdha dhe duhet ta përçoni më mirë përmes arteve dhe zejeve“, u shpreh ajo. Ajo inkurajoi të rinjtë e kampit të aplikojnë teknika të reja dizajni duke ruajtur traditën dhe të promovojnë trashëgiminë e tyre kulturore.

28RRCKruja9Për Vesna Avramovskën, Kryetare e Shoqatës së Artizanëve në Shkup, zejet tradicionale duhet të mbrohen dhe rivitalizohen dhe kjo përkon me arsyet e organizimit të Kampit të 28 Rajonal të Restaurimit në Krujë. “Është një organizim shumë i rëndësishëm pasi një nga çështjet më jetike sot është përfshirja e të rinjve në çështjet e trashëgimisë në mënyrë që zejet të mos harrohen dhe tradita të përcillet. Mundësitë ekzistojnë në këtë Pazar e këto zeje dhe jemi tejet optimistë”, përfundoi ajo.

28RRCKruja3Për koordinatorin e kampit, Mirian Bllaci, “ky aktivitet pasuron agjendën kulturore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Rajon”. “Është kampi i parë në artet dhe zejet tradicionale dhe kemi prurje nga vende të ndryshme të Ballkanit. Kruja ka një ndër pazaret më të njohur në Shqipëri dhe potenciale ekonomike ende të pashfrytëzuara mirë. Jemi këtu për të ndërgjegjësimin e profesionistëve të rinj dhe pse jo, për të dhënë ndihmë konkrete për trashëgiminë”.

28RRCKruja1Pjesëmarrëset Edona Thaçi nga Kosova dhe Blerina Llalla nga Shqipëria zgjodhën të punojnë në punishten e filigranit. “Nuk më kishte rënë të shihja procesin, por as të prekja materialet dhe të mësoja diçka më shumë për filigranit. Këto ditë të Kampit kemi shfaqur punë të mirë“, shprehet Edona.  Për Blerinën “është e rëndësishme për të rinjtë të prekin punën e brezave të tërë për të kuptuar procesin, vështirësinë që haset, por edhe dhe bukurinë e të krijuarit”.

Risi tjetër e rëndësishme ishtë përfshira e temës së “growth mindset“ me edukatorin suedez Daniel Dahlstrom.

29RRCShkodra7Krahas kampit rajonal të restaurimit në qytetin e Krujës, CHwB Albania organizoi paralelisht një tjetër kamp restaurimi në Shkodër, ku 22 pjesëmarrës nga Ballkani Perëndimor shkëmbyen përvoja për “interpretimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore”.

29RRCShkodra2Kampi i Shkodrës u fokusua tek interpretimi i trashëgimisë kulturore – ose si të arrihet tek mendjet dhe zemrat e njerëzve përmes trashëgimisë dhe si të rizbulohet dhe vlerësohet kjo e fundit prej tyre. Të përqëndruar në lëmin e interpretimit, i cili po njeh rritje të shpejtë në studimet muzeale dhe të trashëgimisë, ky kamp kishte si synim të ndihmonte kuratorët dhe menaxherët të komunikojnë më mirë vlerat e trashëgimisë lokale. Nëpërmjet kësaj qasje synohet lidhja më e fortë e njerëzve me vendin, duke e sjellë të shkuarën në të tashmen përmes përvojave ndëraktive të të mësuarit dhe nxitjes së të menduarit kritik.

29RRCShkodra4Diana Walters, punon si këshilltare muzeu dhe trashëgimie e specializuar në paqtim, dialog ndërkulturor, menaxhim dhe zhvillim profesional.”Jam historiane dhe kam përvojë 30 vjeçare në muze. Në Shkodër ndihem si në shtëpinë time pasi trashëgimia kulturore na bashkon pavarësisht prejardhjes. Unë vij këtu si lektore, por do të kthehem me shumë dashuri për kulturën, ushqimin, njerëzit”, u shpreh ajo. Diana ka punuar në më shumë se 20 vende dhe thotë se edhe në Shkodër “do të marrë shumë nga pjesëmarrësit dhe qytetarët dhe do të kthehet më e pasuruar shpirtërisht. Ne duhet ta afrojmë sa më shumë trashëgiminë me komunitetin”, thotë ajo.

29RRCShkodra3Anisa Lloja, koordinatore e Kampit të 29-të Rajonal të Restaurimit, shprehet se aktivitetet e këtij kampi u fokusuan në zonat historike dhe muzetë e qytetit të Shkodrës. “22 pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe u njohën me vendet historike dhe muzetë dhe zbatuan parimet sesi muzetë e Shkodrës mund të bëhe me interesantë dhe të afërt për komunitetin dhe të jenë një pjesë më aktive e jetës së qytetit”. Për Inesa Sulajn kjo ka qenë një eksperiencë jashtëzakonisht e vyer. “Kemi mësuar shumë lidhur me rikonceptimin e muzeve, menazhimin e tyre, organizimin e tyre. Unë punova në fototekën e Muzeut Marubi”.

Kampet Rajonale të Restaurimit  përfaqësojnë një model trajnimi të suksesshëm, të nisur në Shqipëri dhe të organizuar në katër vende të tjera të Ballkanit, me një larmishmëri të gjerë të pjesëmarrësve. Përmes kësaj platforme edukative dhe ndërgjegjësuese, CHwB Albania inkurajon vlerësimin dhe përkujdesjen për trashëgiminë lokale. Kampet organizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Universitetin e Tiranës, ndërsa mbështeten financiarisht nga Qeveria Suedeze dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Lajmet e fundit