Shpallim datat për Kampet Rajonale të Restaurimit 2017 në dhjetë vjetorin e tyre

Kampet Rajonale të Restaurimit mbushin 10 vjeç!

Duke nisur nga shtatori 2007 në Gjirokastër, KRR kanë përshkuar një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm. Tani është momenti për të kujtuar e falenderuar çdo pjesëmarrës, çdo ligjërues, çdo mjeshtër e çdo bashkëpunëtor që kanë dhënë ndihmesën e tyre për t’i kthyer kampet në atë që ato janë sot, ndërkohë që vazhdojmë të krijojmë mundësi të reja për të tjerë profesionistë të rinj të rajonit. Përgjatë vitit do t’i kushtojmë vemendje të veçantë njerëzve e vendeve që i bëjnë Kampet kaq të veçantë!

Tematikat e Kampeve

Në 2017 rikthehen të katër tematikat e Kampeve! Lexoni më poshtë një përshkrim të secilës tematikë:

Në 2017-ën Kampet Rajonale të Restaurimit do t’u ofrojnë pjesëmarrësve ligjërata të nivelit të lartë dhe përvojë praktike në fushat e restaurimit, konservimit, zanateve historike nëpërmjet përdorimit të teknikave dhe materialeve tradicionale, si dhe njohurive në lidhje me interpretimin e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe muzeve. Gjatë secilit prej këtyre kampeve pjesëmarrësit do të ndjekin një program të ngjeshur, por gjithëpërfshirës, i cili kombinon teorinë – nëpërmjet ligjëratave e prezantimeve – me përvojën praktike gjatë punës me monumente e objekte muzeale në vendndodhje të ndryshme ne rajon.

Çdo ndërhyrje do të ndihmojë banorët vendas, duke restauruar objektet muzale e monumentet e tyre të çmuar dhe duke i ofruar mënyra të reja për t’i kuptuar, shijuar e rijetëzuar ato.

Mos humbisni rastin për t’u bërë pjesë e kësaj përvoje të mrekulleshme!

Vendet, Datat dhe Afatet

Kushtojini vemendje datave, tematikave dhe afateve të aplikimit për secilin kamp të këtij viti. Për më shumë informacion mbi secilën tematikë, klikoni në vegëzat e mëposhtme:

VENDNDODHJA DATAT TEMATIKA AFATI I APLIKIMIT
Prishtinë, Kosovë  14-27 Maj Konservimi i objekteve muzeale & interpretim 9 Prill
Berat, Shqipëri  14-27 Maj Konservim i monumenteve dhe interpretim 9 Prill
Krujë, Shqipëri  4-16 Qershor Zejet tradicionale dhe sipërmarrja 9 Prill
Shkodër, Shqipëri  9-21 Korrik Interpretimi dinamik i trashëgimisë 12 Maj
Rogljevo, Serbi 13-26 Shtator Konservim i monumenteve dhe interpretim 2 Korrik
Gjirokastër, Shqipëri  24 Shtator-14 Tetor Konservim i monumenteve dhe interpretim 2 Korrik

Secili nga Kampet është pjesë e një nisme që përfshin gjithë Ballkanin dhe që synon të inkurajojë njerëzit që të vlerësojnë dhe të kujdesen për trashëgiminë e tyre lokale. Objektivat kryesore janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për ripajtim në një shoqëri demokratike, për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për zhvillimin ekonomik në nivel lokal përmes përdorimit të trashëgimisë kulturore.

Për sa i përket Shqipërisë, Kampet e këtij viti do te jene një vazhdimësi e programit të zgjeruar i cili mundësohet nga CHwB Shqipëri, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Kulturës dhe Fakulteti i Historisësë dhe i Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Kampet Rajonale të Restaurimit të vitit 2017, financohen nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe nga Qeveria e Suedisë.

Tarifa e pjesëmarrjes dhe bursat

Tarifa e pjesëmarrjes në kamp është 800 €. Kjo shumë përfshin leksionet, praktikën, fjetjen dhe mëngjesin, materialet e kampit, sigurimin shëndetësor në rast emergjence si dhe eksursionet e planifikuara në program. Pjesëmarrësit do të paguajnë shpenzimet për vaktet e tjera si dhe për transportin për në vendndodhjen e kampit. Këto kosto nuk përfshihen në tarifën e pjesëmarrjes.

Për të gjithë aplikantët e pranuar që janë nga Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia e Shqipëria do të ofrohen bursa që do të mbulojnë shpenzimet e pjesëmarrjes në kamp. Këto bursa do të përfshijnë 800€ të tarifës së pjesëmarrjes.

Mundësi e re për ish pjesëmarrësit e kampeve

Duke marrë në konsideratë larmishmërinë e tematikave të kampeve të ofruara , dëshirojmë t’i japim mundësinë ish pjesëmarrësve për të marrë pjesë në një kamp me tematikë tëndryshme prej atij ku ka marrë pjese më parë, pa paguar tarifën e pjesëmarrjes. (Për shembull: nëse keni marrë pjesë në një kamp me temë konservimin e monumenteve, mund të aplikoni për kampin me temë interpretimin, konservimin e objekteve muzeale, ose atë të zejeve tradicionale). Do të ishte kënaqësi t’ju shihnim sërisht, por ata që aplikojnë për herë të parë do të kenë përparësi.

Të njëjtat kushte për pjesëmarrje me bazë kombësie përdoren dhe në këtë rast.(Pjesëmarrësve nga Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia e Shqipëria do t’i ofrohen bursa që do të mbulojnë shpenzimet e pjesëmarrjes në kamp.)

Nese aplikoni për një kamp me të njëjtën temë me atë ku keni marrë pjesë më parë, duhet të paguani tarifën e pjesëmarrjes.

Për të aplikuar:

  1. Shkarkoni formatin PDF të aplikimit (më poshtë):
    camp_application_2017 (anglisht)
  2. Plotësoni aplikimin, duke përfshirë dokumentacionin shoqërues.
  3. Dërgoni aplikimin e plotë me postë ose email:
    Email:
    gro.b1566259891whc@C1566259891RR1566259891
    Adresa postare:
    CHwB Albania
    Rr. Ismail Qemali
    P. 34/1, Kati III, Zyra 15
    Tiranë, ALBANIA
  4. Stafi i CHwB Shqipëri do të konfirmojë marrjen e aplikimit. Nëse nuk merrni një email konfirmimi brenda 1 jave nga dërgimi i aplikimit, ju lutem na kontaktoni në adresën gro.b1566259891whc@C1566259891RR1566259891

Presim me padurim t’ju shohim në një prej Kampeve Rajonale të Restaurimit të vitit 2017!

Aplikimet për vullnetarë 

Një tjetër shënim për ish pjesëmarrësit e KRR: do të dëshironit të përjetoni sërisht Kampin, po këtë herë nga këndvështrimi i organizatorit? Nëse po, mund të aplikoni për të qenë vullnetarë: http://chwb.org/albania/news/apliko-per-te-qene-vullnetar-ne-kampet-e-2017/?lang=sq

10-yr-RRC-solo-web

 

Lajmet e fundit