Dialogjet për Spaçin – Një hapësirë e përbashkët dialogu mbi të ardhmen e ish-burgut famëkeq
Në 12-14 Qershor u zhvillua në Mirditë takimi i parë në kuadrin e projektit të CHwB-së « Shkëmbejmë Përvojat, Formësojmë të Ardhmen: Dialogjet për Spaçin ». Ky projekt ka për qëllim krijimin e një hapësire të përbashkët për dialog mes zërave institucionalë dhe individualë që kanë historitë, përvojat e tyre në lidhje me Spaçin, pikëpamjet e tyre mbi kuptimin dhe vlerat e këtij vendi simbol të sistemit represiv komunist, e për rrjedhojë, pritshmëri të ndryshme për të ardhmen e tij.
I konceptuar në formën e një punëtorie, takimi synoi krijimin e një baze informacioni të përshtatshme për dokumentimin e mëtejshëm të karakteristikave fizike dhe historive njerëzore të lidhura me ish-burgun. Aktiviteti i parë, ishte vizita në Spaç për të vazhduar në Rubik, ku pjesëmarrësit diskutuan mbi vrojtimet dhe përshtypjet nga vizita e mëngjesit. Në vijim, pjesëmarrësit të ndarë në grupe ndërmorrën një analizë «SWOT» mbi gjëndjen ekzistuese të ish-burgut, duke u ballafaquar me mendimet e njëri-tjetri për të vënë kështu në perspektivë larminë e përqasjeve të mundshme për çështjen.
Dita e dytë e punëtorisë filloi me diskutimin mbi perceptimin e Spaçit nga opinioni publik sot. Pjesë tjetër e rëndësishme ishe dhe shfaqja e disa video-dëshmive të ish të burgosurve politikë në Spaç, me ndihmën e së cilave pjesëmarrësit mundën të përftonin informacione të rëndësishme për ish-burgun në periudha të ndryshme kohore. Po nëpër grupe, pjesëmarrësit analizuan dëshmitë dhe mundën të evidentonin për secilën prej tyre vendet/mjediset brenda Spaçit, ngjarjet dhe ndjesitë, të cilat në të ardhmen mund të shërbejnë si pika me interes për hulumtim apo punë të mëtejshme. Së fundmi secili grup, duke u bazuar në elementët e grumbulluar gjatë gjithë punëtorisë, përpiloi harta të kujtesës për Spaçin.
Gjatë vizitave dhe gjithë procesit të punës, pjesëmarrësit u shoqëruan nga ish-të dënuar politikë në Spaç, për të cilët stafi i CHwB-së shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë për kontributin e tyre.
Punëtoria u mbyll me një sërë vizitash në Rubik dhe Rrëshen, me qëllim çlodhjen dhe pozicionimin e Spaçit në vazhdën e pikave turistike që ofron Mirdita.
Formati i punëtorisë dhe organizimi nga CHwB u vlerësuan nga pjesëmarrësit e pranishëm,si një ogur i mirë për vazhdimin e projektit. Hapat e ardhshëm do të jenë mbajtja e punëtorisë II dhe punëtorisë III që kanë në fokusin e tyre përkatësisht, propozimet për muzealizimin dhe plan-veprimin për realizimin e disa prej tyre.
Ky projekt zbatohet nga CHwB dhe mbështetet nga Suedia dhe Koalicioni Ndërkombëtar i Vendeve të Ndërgjegjes
Për më tepër informacion rreth projektit mund të ndiqni dhe blogun e krijuar enkas për të, http://spacdialog.org/.