Në vitin që shenjon 10 vjetorin e përfshirjes së Gjirokastrës në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qytetit të çative të përhimta iu shtuan ngjyrat. Rreth 30 pjesëmarrës nga 10 vende të Ballkanit Perëndimor, Europës, Shteteve të Bashkuara e më gjerë u mblodhën për dhjetë ditë në Kampin e 23-të Rajonal të Restaurimit që organizohet nga Fondacioni “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij – Shqipëri” në datat 9 shtator – 20 shtator 2015. Krahas kampit restaurues në Gjirokastër, Fondacioni, që këtë vit kremton 20 vjetorin e themelimit, në bashkëpunim me Trashëgiminë Pa Kufij (Mbretëri e Bashkuar) dhe Muzeun e Qytetit të Mitrovicës organizuan Kampin e 24-t Rajonal të Restaurimit në Mitrovicë.
Programi që ndoqën dhjetëra studentë dhe profesionistë kombinoi teorinë, përmes leksioneve dhe prezantimeve, me punën praktike, nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese në monumente. Pjesëmarrësit studiuan dhe u ushtruan për katalogimin, konservimin parandalues të objekteve monumentale si dhe teoritë e interpretimit. Secila nga ndërhyrjet në objektet monumentale u rrek të sigurojë mënyra të reja për të kuptuar vlerat që monumentet mbartin, por edhe për t’i interpretuar dhe rijetëzuar më së miri ato.
Leksionet gjatë Kampit të 23-të Rajonal të Restaurimit
Gjatë kampit, pjesëmarrësit nga vendet fqinje, por edhe nga vende të largëta si Suedia dhe Koreja e Jugut, u njohën me vlerët që qyteti i gurtë mbart. Ata morën pjesë në ligjërata interesantë si “Gjirokastra si pjesë e trashëgimisë kulturore”, “Metodat e njohjes së teknikave të analizimit”.
“Metodat e njohjes dhe rëndësia e trashëgimisë kulturore” dhe “Guri në strukturat historike” ishin disa nga leksionet e tjera të mbajtura nga arkitektë me eksperiencë të pasur në lëmin e tyre të specializimit. Qëllimi i lektorëve ishte nxitja e mendimit kritik dhe të mësuarit aktiv i pjesëmarrësve. Edhe pse prezantimet ishin sfiduese, profesionistët e rinj i konsideruan ato si vendimtare dhe tejet informative për të kuptuar qytetet e ndërtuara në gur, si Gjirokastra.
Sa i përket rastaurimit puna u përqëndrua sa më poshtë:
Shtëpia Xhaxhiu (Monument i Kategorisë së Dytë)
Shtëpia Xhaxhiu ndodhet në Varosh, një lagje e mirënjohur për elementët e saj unikë. Pranë saj gjenden monumente të Kategorisë së Parë si Shtëpia Kadare, Shtëpia Toro dhe Shtëpia Fico si dhe i famshmi “Sokaku i të marrëve”. Ndërhyrja në portën hyrëse dhe çatinë e këtij monumenti ishte vijimësi e ndërhyrjeve të kryera në të kaluarën në këtë zonë, çka i ka sjellë asaj vëmendjen e merituar. Pjesëmarrësit në këtë grup restaurimi, ndër të tjera, u përqëndruan në punimet e drurit.
Shtëpia Sinani (Monument i Kategorisë së Dytë)
Kjo shtëpi është një monument i Kategorisë së Dytë dhe ndodhet në Dunavat, një ndër lagjet që ofrojnë pamjen më të bukur të kalasë dhe qytetit të vjetër. Pjesëmarrësit që zgjodhën të marrin pjesë në restaurimin e kësaj banese restauruan suvanë në pjesën veriore të saj. Shtëpia Sinani kishte disa dekoracione në fasadë, të cilat dolën më në pah gjatë ndërhyrjes. Pjesëmarrësit patën mundësi të mësojnë suvanë tradicionale dhe mënyrën sesi punohet me të nga profesionistë të mirëfilltë.
Shtëpia Zani (Monument i Kategorisë së Dytë)
Banesa Zani është ndërtuar në vitin 1878. Ndërhyrja në këtë shtëpi me vlera arkitektonike konsistonte në pastrimin dhe gdhendjen e gurëve të qemerit të portës hyrëse. Gjatë pastrimit u gjetën dy gurët çelës të dy qemerëve (qemeri kishte tre radhë). Njëri gur kishte një kryq e tjetri syresh dy zogj e një degë ulliri. Pasi u identifikuan gurët ekzistues nisi puna për gdhendjen e gurëve që do të plotësonin tre radhët e qemerëve.
Përpos qemerëve grupi i restauratorëve të rinj të Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Shqipëri bëri edhe plotësimin e murit rrethues.
Shtëpitë e mikpritjes
Meqenëse komuniteti i Gjirokastrës dëshiron ta përdorë trashëgiminë e pasur kulturore edhe si burim për një jetesë më të mirë, Kampet Rajonale të Restaurimit, vendosën të zgjasin sërish dorën e ndihmesës. Duke vijuar punën e Kampeve të 21-ta Rajonale të Restaurimit, kampet e shtatorit vazhduan bashkëpunimin me poseduesit e monumenteve që dëshironin t’i përdorin ato si shtëpi mikpritjeje, porse u mungonte dija dhe mënyrat për ta bërë këtë. Një grup pjesëmarrësish në kamp punuan njëherazi në disa shtëpi për të krijuar dokumentacionin e plotë në mënyrë që një ose dy dhoma të këtyre shtëpive të shndërrohen në dhoma për turistë. Pas studimit të secilit rast, u propozuan ndërhyrjet e duhura bazuar mbi ligjin shqiptar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe duke i qëndruar strikt specifikës së çdo monumenti.
Interpretimi i Trashëgimisë Kulturore
Interpretimi është thelbësor për një restaurim të suksesshëm. Që çdo restaurim të jetë i qëndrueshëm, njerëzit duhet të dëgjojnë historinë e vendit, ta vlerësojnë atë dhe të ndjejnë përkatësinë e tyre rreth objektit monumental. Ndaj, një nga fokuset e Kampit të 23-të Rajonal të Restaurimit ishte interpretimi i trashëgimisë kulturore për audienca të ndryshme, duke iu përgjigjur pyetjeve: Përse e ruajmë trashëgiminë? Ç’domethënie ka ky monument? Ç’histori mund të thuhet përmes këtij druri, kësaj suvaje, apo këtij guri?
Vizita e anëtarëve të Shoqatës Fulbright
Kampi i 23-të Rajonal i Restaurimit në Gjirokastër u vizitua edhe nga 13 anëtarë të Shoqatës Fulbright, një shoqatë e përbërë nga individë që kanë fituar bursa Fulbright për mësimdhënie, por edhe studiuar dhe zhvilluar aktivitet kërkimi shkencor në shumë vende të botës. Përpos vizitave në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, në Butrint, por edhe në Krujë, ata përveshën mëngët dhe u ndihmuan pjesëmarrësit e tjerë në Kamp në restaurimin e shtëpive karakteristike. Pasioni dhe dëshira për të mësuar më shumë rreth trashëgimisë kulturore i bëri anëtarët e Shoqatës Fulbright të mirëpritur në Gjirokastër. Më vonë, gjatë udhëtimit të tyre, ata u angazhuan në debate konstruktive për të kaluarën komuniste të Shqipërisë, duke vizituar ish kampin-burg famëkeq të Spaçit.
Kampi i 24-t Rajonal i Restaurimit në Mitrovicë
Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri në bashkëpunim me Trashëgiminë Pa Kufij (Mbretëri e Bashkuar) dhe Muzeun e Mitrovicës organizuan në Mitrovicë Kampin e 24-t Rajonal të Restaurimit.
Përgjatë dhjetë ditëve, 12 studentë dhe profesionistë nga Kosova, Shqipëria, Rumania dhe Mbretëria e Bashkuar ndoqën një program rigoroz që kombinonte ligjëratat me ndërhyrjet praktike në objektet e vyera të Muzeut të Mitrovicës.
Leksionet mbuluan temat më të rëndësishme në lidhje me konservimin parandalues të objekteve muzeale. Këto ligjërata janë mbajtur nga konservatorë të Trashëgimisë pa Kufij dhe një oficer koleksionesh me eksperiencë në muze të rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar. Pjesëmarrësit mesuan procedurat e dokumentacionit, katalogimin, parimet e konservimit, mekanizmat e përkeqësimit, proceset e ruajtjes së tekstilit etj.
Ushtrimet praktike pasuan leksionet; teksa punë të konservimit parandalues u kryen në më shumë se 10 objekte muzeale të koleksionit që kishin nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Pjesëmarrësit në kamp kishin si detyrë kryerjen e një projekti final. Për këtë qëllim ata u ndanë në katër grupe bazuar në llojin e objektit dhe materialit që duhej të punonin: materiale organike, metale, qeramikë dhe tekstil.
Në ditën e fundit të Kampit të 24-t Rajonal të Restaurimit, 15 fëmijë, nga mosha 6-9 vjeç, bashkë më prindërit e tyre, morën pjesë në një “atelie të trashëgimisë” të mbajtur në Muzeun e Mitrovicës. Fëmijët mësuan për koleksionin e muzeut të qytetit, kostumet tradicionale si dhe u argëtuan duke lexuar, prerë, ngjitur dhe vizatuar libërthin mbi Xhubletën.
Që nga viti 1996, Trashëgimia Kulturore pa Kufij ka zbatuar projekte të shumta restaurimi të trashëgimisë kulturore në të gjithë Ballkanin Perëndimor, më një fokus të veçantë në Kosovë.
Objektivat kryesore të Kampeve Rajonale të Restaurimit janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, si dhe ruajtja e mjeshtërive dhe teknikave tradicionale. Një nga qëllimet e Kampeve Rajonale të Restaurimit është edhe promovimi i Kosovës dhe Shqipërisë.
Në mirënjohje të përkushtimit dhe përsosmërisë të tyre, Kampet Rajonale të Restaurimit të Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Shqipëri, janë shpërblyer me çmimin prestigjioz Europa Nostra të BE-së për Trashëgiminë Kulturore.