Ceremonia e inaugurimit – Kalaja e Prezës

Një ceremoni inaugurimi u organizua më 15 maj 2022, për të celebruar finalizimin e një pune mjaft sfiduese dhe të rëndësishme, restaurimin dhe përforcimin strukturor të dy kullave dhe murit fortifikues ndërmjet tyre, në Kalanë e Prezës.

Në ceremoni morën pjesë komuniteti vendas i Prezës, ekipi i CHwB Albania dhe bashkëpunëtorët e tyre në projekt, kompania LEON konstruksion, që realizoi punimet së bashku me të gjithë punëtorët dhe mjeshtrat pjesë e këtij projekti, Ministrja e Kulturës, Ambasadorja Amerikane, Konsullja Suedeze dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në nëntor 2019, tërmeti dëmtoi rëndë fortifikimin e Prezës, duke shkaktuar shembjen e pjesës së sipërme të kullës së sahatit duke përfshirë çatinë, katër kollonat dhe një pjesë të muraturës së sipërme të saj. Dëmtime të rënda pësuan edhe një pjesë e madhe e muraturës prej guri të kullës së rrumbullakët dhe murit fortifikues që lidh dy kullat.

Prandaj, me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorëve të SHBA për Ruajtjen e Kulturës (AFCP) dhe Suedisë, dhe mbështetjen shkencore të Fondit Botëror të Monumenteve, Trashëgimia Kulturore pa Kufij Shqipëri (CHwB Albania) projektoi ndërhyrjet dhe koordinoi procesin e restaurimit dhe përforcimit për këtë sit të dëmtuar.

Disa nga ndërhyrjet kryesore përfshinë riparimin dhe përforcimin e themeleve të kullës së rrumbullakët, rindërtimin e muraturës së shembur në të dy kullat dhe përforcimin strukturor për të përmirësuar kapacitetin sizmik të strukturave. Ky projekt u zbatua në periudhën prill 2021 – prill 2022.

Prandaj 15 maji përbën një moment shumë të rëndësishëm shpërblimi për gjithë punën, angazhimin dhe përpjekjet që shkuan për procesin e rikuperimit të plotë të këtij monumenti, por në të njëjtën kohë përfaqëson një moment gëzimi, për shkak të përmbushjes së një zotimi të marrë me komunitetin e Prezës, për t’u kthyer atyre një simbol të rëndësishëm të qytetit.

Lajmet e fundit