Ceremonia e certifikimit VET 2

VET group picture

Në vitin Europian të Trashëgimisë Kulturore, 50 mjeshtra dhe ndihmësmjeshtra të rinj iu shtuan listës në rritje të personave të certifikuar nga trajnimi “Teknikat Tradicionale në Ndërtim”. Ceremonia u zhvillua në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës, Zj. Mirela Kumbaro Furxhi, Drejtoreshës së Institutit të Monumenteve të Kulturës, Zj. Arta Dollani, Ambasadorit të Suedisë, Z. Johan Ndisi, Zëvendës Ambasador-it të Gjermanisë, Dr. Johannes Dietrich, përfaqësuesit të Ministrisë së Ekonomisë, Energjitikës, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal në landin e Hessen-it – Gjermani, Z. Gilbert Blumenstiel si dhe të gjithë mjeshtrave e ndihmësmjeshtrave të certifikuar.

 

Projekti “Aftësi për punësimin e së nesërmes” është një trajnim profesional për teknikat tradicionale të restaurimit. Trajnimi është i certifikuar dhe u jep të rinjve të trajnuar mundësi punësimi në restaurimin dhe konservimin e ndërtesave historike. Ai ka krijuar një platformë për kalimin e vazhdueshëm të njohurive nga mjeshtrat me përvojë shumëvjeçare tek më të rinjtë. Gjatë trajnimit pjesëmarrësit njihen me materialet e teknikat historike të ndërtimit si edhe me teknika të ndryshme riparimi, gjatë punës praktike në Monumente Kulture në Berat, Korçë e Gjirokastër. Deri tani janë zhvilluar tre module të trajnimit: moduli i parë nisi në dhjetor 2016 dhe përfundoi në qershor 2017, moduli i dytë nisi në maj 2017 dhe përfundoi në nëntor 2017, ndërsa moduli i tretë nisi në maj 2018 dhe përfundoi në tetor 2018.

Foto (116)

Të tre modulet e trajnimit janë zhvilluar në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës; Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Gjirokastër dhe Korçë; Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional Publik Korçë e Gjirokastër dhe Shkollën Profesionale të Mesme Stiliano Bandilli. Donatorë janë Ministria e Ekonomisë, Energjitikës, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal e Landit të Hessenit në Gjermani via GIZ dhe Qeveria Suedeze.


Foto (346)

Bashkë me partnerët tanë: Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës po vazhdojmë të punojmë për krijimin e mundësive të reja të punësimit për ndihmësmjeshtrat e rinj, për të njohur aftësinë dhe dijen e mjeshtrave në tregun e sotëm të punës dhe për të përmirësuar cilësinë e punimeve të restaurimit në Shqipëri.

VET

Lajmet e fundit