Atelie e Trashëgimisë për fëmijët e shkollës Lidhja e Prizrenit, Paskuqan
Atelieja e rradhës për trashëgiminë kulturore mirëpriti 25 nxënës të klasës së pestë, të shkollës 9-vjecare Lidhja e Prizrenit të komunës Paskuqan.
Këtë rradhë atelieja u zhvillua në një formë të vecantë. Nxënësit të shoqëruar nga mësuesja kujdestare, drejtori i shkollës, përfaqësues të fondacionit “TRE MARIAT” dhe stafit CHwB vizituan ekspozitën e hapur në muzeun historik kombëtar me tematikë “Muzetë krijojnë Lidhje”
Nxënësit panë të ekspozuar disa variante të xhubletës dhe njëkohësisht u njohën me elementë të tjerë të trashëgimisë kombëtare.Pothuajse të gjithë fëmijët kishin dëgjuar për xhubletën por u mbrekulluan kur dëgjuan të fshehtat e saj shpjeguar aq mjeshtërisht nga Luljeta Dano , eksperte e fushës.
Kështu fëmijët mësuan se xhubleta e bardhë vishej nga vajzat deri në ditën e martesës. Një të tillë vishte edhe Nora e Kelmendit, heroina kombëtare që luftoi kundër pushtimit osman para 400 vjetëve. E ndërsa vajzat përdornin xhubletën e bardhë, kur martoheshin ato vishnin xhubletën e nuses që sipas fëmijëve ishte më e bukura ndër gjithë të tjerat. Nën vitrinat prej xhami fëmijët panë edhe stolitë që shoqëronin xhubletën e nuses, cantën (120 vjecare) që ajo merrte plot me dhurata për njerëzit e burrit, mbulesat e qëndisura në ar e argjend dhe zbukurimet e tjera shtëpiake që përdoreshin asokohe.
Furkat e leshit të rreshtuara në mur njëra pas tjetrës të formave dhe ngjyrave të ndryshme ishin objekti tjetër etnografik që mori vëmendjen e fëmijëve. Njëri prej fëmijëve na tregoi “Unë kam një furkë në shtëpi dhe e di që përdoret për ta kthyer leshin në fill që pastaj me të të bëjmë veshje të ndryshme.Gjyshja më ka shpjeguar që në disa raste njerëzit këputnin një degë peme dhe e përdornin si furkë. ” Pastaj fëmijët dëgjuan legjendën për “Tre plakat e Moçme” të cilat me anë të furkës caktonin perin e jetës për fëmijët e porsalindur.
Mbasi vizituan ekspozitën, fëmijët u njohën me një pjesë tjetër të Muzeut po aq i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore kombëtare. Ata panë dhe u informuan mbi mozaikun që ndodhej në ambjentet e jashtme të muzeut, një nga më të mëdhenjtë dhe të vjetërit në Ballkan.
Kështu nga një histori në tjetrën lamë pas një mbasdite sa emocionuese aq edhe edukuese për fëmijët, të cilëve iu dhurua edhe libri i xhubletës, realizuar nga CHwB në kuadër të koleksionit E Ka Kush E Ka
Falenderojmë fondacionin TRE MARIAT, përfaqësuesit e shkollës Lidhja e Prizrenit dhe Muzeun Historik Kombëtar të cilët kontribuan në organizimin e këtij aktiviteti.