Trashëgimia Kulturore ka tashmë “ushtarët” e saj të vegjël. Pas suksesit të “Atelieve të Trashëgimisë” të zhvilluara në të gjithë vendin, nga Jugu në Veri, këtë radhë fëmijët pjesëmarrës në këtë aktivitet u vizituan nga një mike tejet e veçantë.
Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin, u bë pjesë e “Atelieve të Trashëgimisë”, ideuar dhe organizuar nga Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri. Në aktivitetin e organizuar në shkollën 9-vjeçare “Urani Rumbo” mori pjesë edhe kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami.
Ambasadorja iu shpjegoi fëmijëve të klasave të katërta sesa e rëndësishme është ruajtja e trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës. “Qyteti juaj ka një bukuri mahnitëse që duhet ruajtur. Unë, bashkë me vajzën time 11 vjeçare, do të vizitoj shtëpitë që po restauron Trashëgimia Kulturore pa Kufij. Secili nga ne duhet të bëjë të pamundurën për të ruajtur këtë thesar”, u tha ndër të tjera ambasadorja Vlahutin fëmijëve.
Ajo më pas punoi së toku me fëmijët mbi modelin e letrës të Shtëpisë Babameto. Modeli është pjesë e koleksionit “E Ka Kush e Ka” dhe synon që nëpërmjet një serie libërthash të përfshijë fëmijë dhe të rritur në zbulimin dhe rizbulimin e trashëgimisë kulturore si një urë lidhëse me botën që na rrethon.
Anëtarë të stafit të Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij sollën një historik të shkurtër të Shtëpisë Babameto si dhe shtëpive të tjera monumentale të Gjirokastrës. Modeli i Shtëpisë Babameto, por dhe publikimet e tjera të Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Shqipëri, ftojnë fëmijët të nxjerrin në pah krijueshmërinë e tyre. Përfshirja e drejtpërdrejtë e fëmijëve në punët krijuese për trashëgiminë kulturore, përveçse argëtuese, u jep atyre edhe një mundësi shumë të mirë për të zhvilluar imagjinatën dhe për t’u ndjerë më të përfshirë.
Pas përfundimit të modelit të Shtëpisë Babameto ne folëm më Borisin dhe Endin, të cilët ishin ndër të parët që e përfunduan atë. Borisi e mbylli i pari punën krijuese. Ai sigurisht ka talentin e nevojshëm për t’u bërë një arkitekt restaurator.
Kurse Endi, dëshironte të bëhej mjek. Kushedi tani mund të ndryshojë mendje! Ne i thamë që edhe shtëpitë gjirokastrite kanë nevojë për “mjekë” të mirë. Me kërkesë të Endit, kur u ndamë i dhamë atij një dosje të “Trashëgimisë Kulturore pa Kufij”. Besojmë se Endi ka nisur tashmë ta mbushë.
Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri ka organizuar disa Atelie në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku kanë marrë pjesë mbi 200 fëmijë dhe rreth 50 mësues e prindër.