Cikli i tretë dhe i fundit i punëtorive në kuadër të projektit “Platformat e Fuqizimit dhe të Mësimit përmes Trashëgimisë” u zhvillua në fillim të muajit prill.
Kjo seri punëtorish u çel në datën 4 prill në Krujë, vazhdoi në datën 5 prill në Kavajë dhe u përmbyll në Rrogozhinë më 6 prill. Tema e punëtorive kësaj radhe ishte “Organizimi i Aktiviteteve Publike me Modelet Edukative të zhvilluara”. Qëllimi ishte prezantimi i drafteve përfundimtare të modeleve edukativë tek aktorët lokalë si dhe skicimi i një kalendari fillestar aktivitetesh që mund të zhvillohen me modelet edukative.
Në këtë raund të fundit, ishim të lumtur të shihnim pjesëmarrës të rinj dhe partnerë të vjetër, të cilët na kanë shoqëruar jo vetëm në punëtoritë e mëparshme, por edhe gjatë gjithë këtij procesi të veçantë.
Punëtoritë u drejtuan nga Arnold Kapinova, Koordinator Projekti pranë CHwB Albania dhe ekspertja e trashëgimisë kulturore Antigoni Gjergji.
Gjatë pjesës së parë të workshopeve, ekipi i CHwB bëri një prezantim të detajuar të modeleve edukative të Muzeut Etnografik të Krujës, Ura e Kurçajt, Muzeu Etnografik i Kavajës dhe Kalaja e Bashtovës. Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me procesin dinamik të bashkëpunimit pas çdo modeli edukativ të zhvilluar. Pjesa e parë u përmbyll nga një prezantim i shkurtër nga Gjergji, mbi aktivitetet e mundshme që mund të zhvillohen me libërthat.
Pjesa e dytë e punëtorive u fokusua në një sesion pune në grup, gjatë të cilit pjesmarrësit shkëmbyen dhe propozuan ide mbi aktivitete të mundshme që mund të zhvillohen me modelet edukative në vende të ndryshme: muze, site të trashëgimisë, hapësira publike, shkolla. Në fund, pjesëmarrësit u inkurajuan të hartojnë një kalendar aktivitetesh me modelet e reja edukative që mund të zbatohen në secilin nga qytetet e tyre përkatëse.
Në punëtorinë në Krujë, duke pasur parasysh një traditë dhe përvojë tashmë të konsoliduar në fushën e trashëgimisë kulturore, pati ide shumë të vlefshme. Në Kavajë, punëtoria u karakterizua nga entuziazmi i të rinjve të Klubit të Trashëgimisë. Në Rrogozhinë, nuk mungoi mikpritja dhe dëshira e madhe për të punuar me modelet edukative.
Ne u jemi mirënjohës të gjithë partnerëve tanë të rinj dhe të vjetër për kontributin e tyre në këtë cikël punëtorish. Presim të shihemi të gjithë gjatë eventeve të lançimit të libërthave në Krujë, Kavajë dhe Rrogozhinë për katër modelet edukative të krijuara.
Projekti “Platformat e Fuqizimit dhe të Mësimit përmes Trashëgimisë Kulturore” është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit EU4Culture të zbatuar nga UNOPS dhe në koordinim me Ministrinë e Kulturës.
- Pjesmarrësit gjatë një diskutimi në grup, Krujë
- Kopje e libërthit të Muzeut Etnografik të Kavajës
- Pjesmarrësit gjatë një diskutimi në grup, Krujë
- Pjesmarrësit gjatë diskutimit, Kavajë
- Një pjesmarrëse duke prezantuar idetë e grupit, Rrogozhinë
- Ekspertja Atnigoni Gjergji gjatë punëtorisë në Kavajë