Historia

E themeluar në Suedi në 1995, Trashëgimia Kulturore pa Kufij filloi bashkëpunimin e saj në  Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe më pas u zgjerua në Kosovë. Bashkëpunimi në Shqipëri filloi me takimin e dytë të rrjetit Trashëgimia e Evropës Juglindore (SEE), i cili u organizua në bashkëpunim me lëvizjen Mjaft! Lëvizja në qytetin e Gjirokastrës u bë në vitin 2006. Ky aktivitet u pasua nga Kampi i Parë Rajonal i Restaurimit, i cili u zhvillua në Shtator 2007 në bashkëpunim me OJQ-në shqiptare Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO) dhe Shoqatën Suedeze për Ruajtjen e Ndërtesave.          Pas Kampit të Parë Rajonal të Restaurimit mjaft të suksesshëm, autoritetet shqiptare përgjegjëse për mbrojtjen dhe kujdesin e monumenteve, i kërkuan CHwB të shtrijë influencën e saj  dhe të zgjerojë bazën e aktivitetit. Kjo kërkesë u pasua nga një aplikim për fonde SIDA, e cila më pas u aprovua për periudhën 2008-2011. Kjo ishte marrëveshja e parë e bashkëpunimit që parashikoi për herë të parë një vëmendje të veçantë mbi Shqipërinë.

Pas parashtrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit si me autoritetet kombëtare dhe me ato lokale, CHwB çeli zyrën e saj të parë në Shqipëri në fund të vitit 2009. Ndërkohë që shumica e aktiviteteve vazhduan të zhvilloheshin në Gjirokastër, zyra qendrore për Shqipërinë u vendos në Tiranë, në mënyrë që të lehtësonte takimet me palët e interesuara të qeverisë dhe donatorët.  Përmes zyrës në Gjirokastër, CHwB -Shqipëri mundi të kryente disa prej punëve më të rëndësishme, si trajnimet dhe projektet e restaurimit përfshirë këtu dy monumentet Babameto kategori e parë dhe e dytë, të cilat sot janë restauruar dhe rijetëzuar tërësisht.

Zgjerimi gjeografik i aktiviteteve të CHwB, filloi me një ndërhyrje emergjente konservuese në Kishën e Shën Nikollës në Voskopojë në 2013 dhe restaurimin e plotë të hamamit në Kruja, të finalizuar në 2015, si dhe punën me ish-burgun politik dhe kampin e punës së detyruar në Spaç.

Në qershor 2015, CHwB Albania u regjistrua zyrtarisht si një OJQ e pavarur lokale. Ky është kulmi i suksesshëm i një procesi shumëvjeçar, që njohu rritjen profesionale të secilës prej zyrave lokale të CHwB në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar t’i regjistrojë ato si organizata të pavarura – akoma me emrin CHwB dhe duke mbajtur të njëjtat vlera.

CHwB vazhdoi zbatimin e Kampeve Rajonale të Restaurimit të filluara në Gjirokastër. Deri më tani, 47 Kampe janë zbatuar duke grumbulluar më shumë se një mijë profesionistë në trashëgiminë kulturore nga 25 vende. Kampet janë zhvilluar në vende historike në 4 shtete: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi.

Vitet kalojnë dhe CHwB Albania vazhdon punën e saj në fushën e trashëgimisë kulturore. “Aftësitë për Punësimin e së Nesërmes” është një program i ri i filluar në 2016 dhe që ende vazhdon. Gjirokastra, Berati, Korça, Durrësi janë qytetet ku CHwBA organizoi këtë trajnim. Ky projekt synon të zhvillojë aftësim profesional për teknikat historike të riparimit. Trajnimi është i çertifikuar dhe u mundëson zanatçinjve të rinj të punësohen dhe të punojnë drejtpërdrejt me restaurimin/ konservimin e ndërtesave historike.

Fëmijë dhe të rritur, të angazhuar vazhdimisht në aktivitete nga CHwB Albania, po mësojnë rreth vlerave të mjedisit historik. 2016-2020 ka qenë një periudhë e rritjes së qëndrueshme për serinë E KA KUSH E KA dhe programin përkatës të aktiviteteve. Koleksioni “E Ka Kush e Ka” kërkon të përfshijë fëmijë dhe të rritur në një seri librash dhe lojërash, përmes të cilave ata zbulojnë dhe rizbulojnë trashëgiminë kulturore si një urë që na lidh me kompleksitetet e botës përreth nesh.

Një model i ri ekonomik dhe menaxhues për trashëgiminë u krijua me Planin e Menaxhimit të Butrintit. Nga tetori 2018 deri në maj 2019, CHwB Albania ishte pjesë e një konsorciumi ndërkombëtar që dorëzoi Planin e parë të Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit, (një Trashëgimi Botërore e UNESCO-s).

Histori të jetuara dhe të rrëfyera nga gra që vijnë nga sfera të ndryshme të jetës – ky është projekti Cultural Herstory që siguron një hapësirë takimesh për gratë që përdorin traditat e tyre kulturore për të risajuar, gatuar dhe prodhuar, si një mënyrë jetese për veten dhe familjet e tyre.

Ndërhyrjet emergjente në ndërtesat historike vazhdojnë. Gjatë vitit 2020 CHwBA do të bëjë restaurimin e katër monumenteve: Kulla C e fortifikimeve në Durrës, Teqeja e Dollmës & Kulla e Sahatit në Kalanë e Krujës si dhe Kulla & muret e fortifikimit të Kalasë së Prezës. Të katër monumentet u dëmtuan në tërmetin e nëntorit të vitit 2019.

Puna e CHwB Albania vazhdon me mbështetjen financiare të donatorëve dhe bashkëpunimit me partnerët tanë.

CHwB aktualisht po operon sipas një marrëveshje me SIDA-n deri në fund të vitit 2023