Banjat publike kanë qenë gjithmonë një element i rëndësishëm i jetës sociale për njerëzimin. Që nga banjat romake, si vende takimi, ushtrimesh dhe shkëmbimi, te banjat e stilit Osman, që krijoi një vend bisedash, intrigash dhe diskutimesh politike; të dyja kanë promovuar një recetë të shëndetshme pastrimi, qetësimi dhe shoqërizimi. Shqipëria ka trashëguar një sërë thermae dhe hamame nga Perandoria Romake dhe ajo Osmane: thermae romake e Durrësit (shekulli I p.e.s); hamami i Shkodrës (1540); hamami i Lezhës (1560); hamami i Tiranës (1614); në Elbasan janë hamami i Pazarit, i shekullit XVII, dhe hamami i Kalasë së Sinan Pashës; hamami i Gjirokastrës; dhe, hamami i shekullit XV që ndodhet në Kalanë e Krujës.
Në Krujë, hamami për shumë vite ishte një relikë e harruar. Restaurimi i këtij monumenti, një dëshmi kyçe për komunitetin vendor dhe një tërheqje turistike e mundshme, është një hap para drejt zhvillimit në të gjithë Shqipërinë dhe Ballkan të një rrjeti më të madh vendesh të trashëgimisë që ofrojnë shërbime.
Objektivat e CHwB – Shqipëri në këtë projekt restaurimi dhe rigjallërimi përfshinin: zhvillimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore për gjenerim të ardhurash, ndërgjegjësimin mjedisor duke nxjerrë në pah rëndësinë e përdorimit të ujit të ricikluar dhe sistemeve të konsumit të tij, restaurimin dhe rikthimin e funksionit fillestar të monumentit. Përfundimi i punës do të nxisë rritjen e të ardhurave për komunitetin lokal, rijetëzim të lagjes përreth, rritje të turizmit, dhe fillimin e një nisme më të gjerë për ngritjen e një rrjeti kombëtar të hamameve.
Restaurimi i Hamamit të Krujës është kryer nga Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe është financuar nga qeveria suedeze përgjatë viteve 2013-2015.