Kurse Profesionale: Aftësi për Punësimin e së Nesërmes

roof 9Shqipëria ka një fond të pabesueshëm të trashëgimisë kulturore të ndërtuar. Vetëm lista e Siteve të Trashëgimisë Kulturore Botërore të Beratit dhe Gjirokastrës përfshin afërsisht 800 monumente. Si vend Shqipëria ka filluar ta mbrojë trashëgiminë kulturore relativisht herët. Që në vitin 1961 qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës janë deklaruar qytete-muze. Në vitin 1962 u themeluan institucione të specializuara, të quajtura “atelie të restaurimit”, përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve. Këto institucione punësuan mjeshtrat më të aftë të kohës dhe deri në fillimin e viteve ’90 funksionuan si shkollë për nxënësit e rinj.

Ditët tona aftësia dhe dija e mjeshtrave, që mësuan dhe punuan nëpër atelie, nuk njihen zyrtarisht dhe si rezultat shumë prej tyre gjenden sot jashtë tregut. Shumë prej tyre janë ende plot energji dhe duan të vazhdojnë të punojnë më gjatë dhe të garantojnë që dija e tyre do të transferohet në brezat e rinj. Nëse nuk gjendet një udhë për t’i angazhuar ata, rreziku që dija e tyre të humbë përgjithmonë është e lartë.  Po ashtu, nevoja për aftësinë e tyre është e lartë. Monumentet duan mirëmbajtje të vazhdueshme nga njerëz që kanë njohuri të mira të materialeve dhe teknikave tradicionale.

Projekti “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” synon të themelojë një trajnim për aftësimin në ndërhyrje në ndërtime të trashëgimisë kulturore. Formati i sugjeruar i trajnimit do të përfshinte edhe mjeshtrat e vjetër, por edhe të rinjtë, duke siguruar në këtë mënyrë përfshirjen e mjeshtrave të vjetër dhe shpëtimin e dijes së tyre duke e transferuar atë te të trajnuarit më të rinj.

Kursi do të zhvillohet përgjatë 6 muajve me trajnime intensive. Dy muajt e parë të trajnimit do të ndiqen nga mjeshtra dhe nxënës të rinj, ku ata do të njihen me tema teorike të konservimit, tipologjisë së ndërtesave, dokumentimit, materialet dhe teknikat.

Këto dy muaj janë baza edukative për të certifikuar mjeshtrat dhe njohur eksperiencën e tyre të kaluar, sepse mjeshtrat e vjetër do të jenë trajnerët e certifikuar për të rinjtë pjesëmarrës.

Pas dy muajve të parë, do të vihen në zbatim 3 module paralele për llaçin, gurin dhe drurin. Secila nga këto do të zgjasë katër muaj, dhe do të mbahet në një nga tri qytetet historike të Shqipërisë: Gjirokastër, Berat dhe Korçë. Këto katër muaj pjesëmarrësit në trajnim do të punojnë në restaurimin e monumenteve nën mbikqyrjen e mjeshtrave. Po ashtu, ata do të ndjekin ligjërata teorike në materialet dhe teknikat specifike që ata vetë do të zgjedhin.