Kampet Rajonale të Restaurimit

Gjiro_Annoucement_Spot_1

Kampet Rajonale të Restaurimit të organizuara nga CHwB – Shqipëri,  përfaqësojnë një model trajnimi të thjeshtë dhe të suksesshëm, i cili u zgjerua në periudhën 2007-2017, nga disa studentë në Shqipëri, me përhapjen e modulit në katër vende të tjera të Ballkanit, me një diversitet të gjerë të pjesëmarrësve. Kampet janë pjesë e një shtytjeje më të gjerë Ballkanike për të inkurajuar njerëzit që të vlerësojnë dhe të kujdesen për trashëgiminë e tyre lokale. Objektivat kryesore janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale.

Gjatë dy javëve të kampit, pjesëmarrësit ndjekin një program rigoroz dhe të plotë, duke kombinuar teorinë – përmes leksioneve dhe prezantimeve – me punën praktike – nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese në monumente në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë apo Serbi. Çdo ndërhyrje ndihmon drejtpërdrejt pronarët e monumenteve për të restauruar ndërtesat e tyre monumentale – duke përdorur materiale dhe teknika tradicionale dhe duke siguruar mënyra të reja për të kuptuar vlerat që ato mbartin, për t’i interpretuar, por dhe rijetëzuar ato.

Gjatë Kampeve, pjesëmarrësit akomodohen në vendin ku këto aktivitete organizohen, ndjekin leksione në mëngjes dhe punojnë për të përfunduar një ndërhyrje restaurimi në një ndërtesë historike gjatë orëve të pasdites. Ligjëratat mbahen nga profesionistë në fushën e konservimit dhe profesorë që vijnë nga institucione të njohura vendore dhe ndërkombëtare. Punimet praktike udhëhiqen nga mjeshtra me përvojë, të cilët u mësojnë pjesëmarrësve teknikat e duhura si  dhe sigurojnë që ndërhyrjet restauruese të jenë të një cilësie të lartë. Në fund të Kampit, pjesëmarrësit vlerësohen për njohuritë e marra gjatë ligjëratave si dhe për punën praktike që kryejnë.

Në mirënjohje të përkushtimit dhe përsosmërisë të tyre, Kampet Rajonale të Restaurimit të CHwB-së, fituan çmimin prestigjioz të BE-së për Trashëgiminë Kulturore / Çmimin ‘Europa Nostra’ për vitin 2014, në kategorinë e “Edukimit, Trajnimit dhe Rritjes së Ndërgjegjësimit.”

Statistika për Kampet
(deri në prill 2017)

32 Kampe të organizuara në 10 vendndodhje historike në Ballkan

26 shtete të përfaqësuara nga pjesëmarrësit

25+ Profesione të përfaqësuara

103+ Ndërhyrje restauruese

828 Pjesëmarrës

49,100 orë punë praktike

Përveç kësaj, kampet tani janë integruar si trajnim praktik në programet mësimore të tre Universiteteve Rajonalë (Universiteti i Tiranës, Universiteti Polis-Tiranë dhe Universiteti i Sarajevës), dhe dy të tjerë që do pasojnë së shpejti (Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Beogradit). Këto kampe janë zhvilluar gradualisht që nga viti 2007, duke u zgjeruar shumë shpejt në 2 vitet e fundit. Shumë nga individët e trajnuar janë kthyer në vendet e tyre për të punuar në fushën e restaurimit, në institucione shtetërore, universitete apo sektorin privat. Të tjerë kthehen për të kontribuar si vullnetarë teksa marrëdhëniet që ata kanë krijuar gjatë kohës të qëndrimit në Kamp mbeten të forta edhe pas kësaj eksperience. Në Gjirokastër, ku janë organizuar shumica e kampeve, ato janë bërë një element kryesor i skenës kulturore lokale dhe kanë inkurajuar dhjetëra pronarë të monumenteve të kulturës të rishikojnë mënyrën se si ata kujdesen për banesën e tyre.

Motoja e organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij është “Ne Restaurojmë dhe Ndërtojmë të Ardhmen”. Kampet Rajonale të Restaurimit përmbushin të dy aspektet e kësaj fraze, me kryerjen e ndërhyrjeve restauruese në ndërtesat historike në nevojë si dhe me ndërtimin e marrëdhënieve midis njerëzve të kulturave dhe profesioneve të ndryshme. Për të përmbushur këtë qëllim synimet e Kampeve janë si më poshtë:

  1. Edukimi i brezave të ardhshëm të profesionistëve në fushën e restaurimit – duke përfshirë trajnimin praktik në programet universitare dhe sigurimin e standardeve të cilësisë së lartë
  2. Ndërtimi i paqes përmes krijimit të marrëdhënieve midis pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të Rajonit, por edhe më gjerë.
  3. Vlerësimi dhe ruajtja e trashëgimisë tonë të përbashkët – duke promovuar ‘të drejtën për kulturë’
  4. Rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit – duke ilustruar rëndësinë e trashëgimisë kulturore në cilësinë e jetës dhe në zhvillimin ekonomik.

Ju mund të gjeni më shumë në lidhje me Kampet Rajonale të Restaurimit dhe të shkarkoni formularin e aplikimit për t’u bërë pjesë e tyre:

Shpallim datat për Kampet Rajonale të Restaurimit 2017 në dhjetë vjetorin e tyre

Për më shumë informacione, shkarkoni versionin e fundit të Camps Guide (anglisht).